Superiorja rikthehet sot dhe në fushë zbresin kampionët e Teutës dhe Partizani 16 herë triumfues në elitën e futbollit shqiptar. “Elbasan Arena” hap dyert dhe prej orës 19:45 dy ekipet masin forcat në fushë.
Sigurisht që si fillim do të mbahet ceremonia e hapjes së sezonit, ndërsa nesër dhe pasnesër do të zhvillohen katër ndeshjet e tjera të javës së parë të sezonin 2021/22 në Kategorinë Superiore.
Në program është derbi i veriut, mes Laçit dhe Vllaznisë, skuadra që u ndeshën vjet në javën e fundit të kampionatit në stadiumin “Loro Boricci”. Kjo sfidë luhet të shtunën prej orës 13:45, sikurse edhe dueli tjetër, Tirana-Skënderbeu.
Edhe të dielën luhet në të njëjtën orë. Rikthehet në Superiore Dinamo 18 herë kampione e vendit, që luan në Kamzë ndaj Kastriotit. Blutë, pas shumë afrimeve të bëra, duan të jenë sërish konkurrues për trofe.
Ndeshje tjetër në program për javën e parë është Egnatia-Kukësi. Rrogozhinasit kanë bërë shumë përforcime, ndërsa verilindorët thuajse e kanë ribërë skuadrën nga fillimi. / oversport.tv