Java 27: Hapa fals dhe ndonjë surprizë, çfarë ndryshoi Serie A veç kreut

Serie A në Oversport i përmbylli emocionet e javës së 27-mbrëmjen e djeshme, ndërkohë që rezultatet e prodhuara kanë ndryshuar kryesuesin në kampionat. Napoli nuk gaboi për të dytën herë radhazi, si rivalët, dhe u ngjit në krye me pikë të barabarta me Milanin pasi mposhti skuadrën e Lazio.

Gjithsesi, Interi që u frenua nga Genoa, ka edhe një ndeshje për ta luajtur kundër Bologna. Sërish edhe Milani ngeci, ndërsa Juventusi vijon me ecurinë pozitive dhe e ka vështrimin në të dy krahët, te kreu dhe tek Atalanta që i vjen nga pas për vendin e katërt.

Skuadra nga Bergamo mori pikët e plota këtë javë, pas pesë ndeshjes pa fitore. Tani Juventusi është 3 pikë larg, pa harruar që Atalanta ka një ndeshje më pak. Roma qëndron në linjë me skuadrat e sipërme, pasi u rikthye te fitorja pas tre barazimeve radhazi. Një penallti në shtesë e nderoi, edhe pse kishte dominuar totalisht ndaj Spezia.

Po në grupin e skuadrave për mbijetesë, çfarë ndodhi? Salernitana e vendit të fundit mori një pikë në shtëpi, ndaj Bologna. Edhe pse ka dy ndeshje më pak, çdo javë objektivi mbijetesë për ta bëhet edhe më i vështirë. Genoa gjithashtu mori një pikë shprese ndaj Interit, por llogaritë nuk u dalin.

Fitorja e Cagliari në Torino ua bën më të vështirë misionin e tyre këtyre dy skuadrave. Nga skuadra që luftojnë për mbijetesë, humbi vetëm Venezia, kundër skuadrës së Hellas Verona. Ekipi i Juric “noton” në mesin e artë, sikurse Sassuolo që mposhti Fiorentinën dhe i prishi punë në garën për në Europë. / oversport.tv

Foto: Official SSC Napoli, Twitter