Ka përfunduar java e 27-të e Serie A e transmetuar live në Oversport dhe Tibo. Padyshim që ka qenë një javë shumë e nxehtë, në të cilën spikatën derbi i Italisë dhe derbi i Romës.
Juventusi arriti të ndëshkojë Interin duke e mundur në transfertë me rezultatin 1-0 me golin vendimtar të Kostic. Zikaltrit e mbyllin pushimin e kombëtareve në vendin e tretë të Serie A ndërsa bardhezinjtë tashmë shohin zonën Champions vetëm 7 pikë larg teksa shpresojnë që penalizimi me heqjen e 15 pikëve të anulohet.
Nga ana tjetër, Lazio ka triumfuar në derbin e kryeqytetit italian përballë Romës me shifrat 1-0. Kjo fitore i dërgon lacialët në vendin e dytë pas disfatës së Interit me dy pikë më shumë se këta të fundit ndërsa Roma mbetet në vendin e 5-të me një pikë larg zonës Champions.
Një javë të keqe la pas dhe Milani duke u mposhtur nga Udinese në transfertë dhe tashmë kuqezinjtë komplikojnë garën e top katërshes. Napoli nuk ka frena në këtë sezon dhe në javën që lamë pas mundi Torinon me rezultatin 4-0.
Skuadra e Spallettit po fillon ngadalë të bëjë përgatitjet për titullin kampion ku ndjekësi më i afërt është plot 19 pikë pas. Shenja shprese për qëndrimin në Serie A ka shfaqur dhe Sampdoria që la vendin e fundit duke mundur Veronën. /oversport.tv
Foto: JuventusFC, Twitter