Java e 9-të flet për Milanin, Juve dhe Inter kanë vend për përmirësim

Është mbyllur java e 9-të e Serie A, që është transmetuar e gjitha Live në kanalet Oversport. Një javë që ka folur për Milanin e Piolit, që i është bashkuar Napolit në krye të renditjes së kampionatit italian të futbollit.

Fitorja e vuajtur në transfertë kundër Bolognas ka marrë vlera edhe më të mëdha, pas barazimeve të rivalëve në dy supersfidat, Inter-Juventus dhe Roma-Napoli.

Skuadra e Spallettit nuk ka arritur të marrë fitoren e nëntë radhazi në kampionat, pasi është ndalur në “Olimpico” nga Roma e Mourinhos dhe tashmë duhet të ndajë kreun e Serie A me Milanin (nga 25 pikë të dyja). Distanca me Interin e vendit të tretë është 7 pikë, ndërsa me Juventusin (vendi i 6-të) 10 pikë.

Sfida direkte në “San Siro” tregoi se Interi dhe Juventusi kanë akoma shumë gjëra për të përmirësuar, por gjithsesi mbeten në garën për titullin kampion.

Ka zhgënjyer Lazio e Sarrit, që është turpëruar në Verona nga skuadra vendase, ndërsa Atalanta ka humbur një shans të artë për tu ngjitur në vendin e katërt në renditje, pasi është barazuar në minutat shtesë nga Udinese në shtëpi.

Fiorentina konsolidon pozitat në mesin e artë dhe vazhdon të ëndërrojë një vend në kupat e Europës, ndërsa në fundit e tabelës nuk ndryshon asgjë, pasi të 5-ta skuadrat e vendeve të fundit janë mundur në ndeshjet respektive këtë javë. /Oversport.tv