Java perfekte e Erzenit, fitoi me Vllazninë dhe të gjithë kundërshtarët u ndalën

Kjo ishte java perfekte e Erzenit. Përveç faktit që skuadra shijakase arriti një fitore shumë të rëndësishme kundër Vllaznisë, përfitoi edhe nga fakti që të gjithë kundërshtarët në pjesën e sipërme të tabelës u ndalën.

Në këtë mënyrë ekipi i Xhevair Kapllanit ka marrë vendin e tretë me 29 pikë, vetëm 2 më pak sesa Partizani i vendit të dytë dhe 5 pikë larg Tiranës kryesuese.

Këto skuadra u ndalën gjatë javës së 19-të, përfshirë këtu edhe Egnatian. Pra në 5 skuadrat e para arriti të fitonte vetëm Erzeni duke ngushtuar diferencën dhe duke shtuar konkurrencën në garën për të arritur objektivat, titullin dhe Europën.

Përveç statistikave, Erzeni më në fund u rikthye të tregojë shpirtin, forcën dhe zemrën në fushën e lojës. Me mbështetjen e tifozëve ka ndërtuar një kështjellë që nuk pushtohet lehtësisht, madje është një nga kockat e forta të këtij kampionati.

Megjithatë, Kapllani e mbajti skuadrën me këmbë në tokë duke thënë se është vetëm për mbijetesë. Ai bëri apel se kanë mbetur edhe 17 finale të tjera. E radhës për Erzenin do të jetë kundër Kastriotit për të treguar se skuadra ka vazhdimësi dhe di të përballojë ritmin. /oversport.tv