Java e tretë e “Abissnet Superiore” nuk ka nxjerrë asnjë fitues, pasi të pesta takimet e kësaj jave janë mbyllur në barazim. Edhe dy sfidat e ditës së sotme Laçi-Kukësi dhe Egnatia-Skënderbeu nuk kanë patur fitues.
Një ndeshje e bukur dhe plot emocione ka qënë ajo e zhvilluar në Kamëz mes Laçit dhe Kukësit. Miqtë kanë luajtur më mirë në pjesën e parë dhe kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 30-të të takimit me Luka Milunovic.
Në pjesën e dytë të besuarit e teknikut Longo kanë gjetur sërish rrugën e rrjetës me Edi Basa në minutën e 58-të. Kur u duk se Kukësi do të siguronte fitoren e tretë radhazi në kampionat, ka ardhur reagimi i Laçit.
Zarubica ka bërë heroin për laçianët në këtë sfidë, duke shënuar një dygolësh. Malazezi ngushtoi disavantazhin në minutën e 69-të dhe shënoi golin e barazimit në minutën e pestë shtesë.
Laçi tentoi të fitojë ndeshjen, por portieri mik u mohoi golin në minutat e fundit shtesë (plot 7 të tilla). Kukësi humbet një shans të artë për tu shkëputur në renditje, por gjithsesi mbetet i vetëm në krye të renditjes së kampionatit.
Në ndeshjen tjetër në “Egnatia Arena”, vendasit e Maganit dhe Skënderbeu i Memellit kanë ndarë nga një pikë. Rrogozhinasit kalojnë të parët në avantazh me një supergol të Pedro në minutën e 16-të, por korçarët kanë barazuar pas 2 minutash me një gol të bukur të Elvi Berishës.
Të dyja skuadrat kërkojnë fitoren në minutat e mbetura, por nuk arrijnë të shënojnë. Egnatia humb një rast të mirë për të fituar takimin në minutat shtesë të ndeshjes.
Nuk mungon edhe nervozizimi në fund të ndeshjes, ku pjestarë të stafit vendas i kërkojnë llogari gjyqtarit të takimit. /Oversport.tv
Abissnet Superiore – Java e 3-të
Laçi-Kukësi 2-2
Zarubica 69’, 90+5’/Milunovic 30’, Basa58’
Egnatia-Skënderbeu 1-1
Pedro 16 / Berisha 18