Të mërkurën mes lotëve Sergio Aguero i dha zyrtarisht lamtumirën futbollit të luajtur, por argjentinasi nuk e ka braktisur botën e futbollit, madje që tani ka marrë disa oferta për të nisur një karrierë të re.
Oferta e parë ka ardhur nga Manchester City, aty ku “Kun” ka luajtur për 10 vite (ka realizuar 260 gola në 390 ndeshje të luajtura), që i ka ofruar rolin e ambasadorit të klubit në botë.
Por edhe në Argjentinë kanë lëvizur, madje Federata argjentinase i ka propozuar dy mundësi: të bëhet pjesë e stafit të trajnerit të kombëtares Scaloni, ose të punojë me skuadrat e moshave të Argjentinës.
Në fund, një tjetër mundësi është shfaqur në horizont, Aguero duhet të veshë kostumin dhe të bëhet opinionist i ndeshjeve të futbollit në televizion. / Oversport.tv