Jimmy Butler dhuron “show” ne finalen e parë, 41 pikë dhe Miami mposht Boston

Miami Heat ka fituar finalen e parë të Konferencës së Lindjes përballë Boston Celtics pasi triumfuan me rezultatin 118-107. Celtics zhvilloi një ndeshje të mirë, por mjaftoi vetëm një periodë e dobët nga ta që Miami të merrte avantazhin dhe në fund të dilte me fitore nga ky takim.

Ndeshja nisi mirë për Boston që e mbylli periodën e parë në avantazhin e tre pikëve. Të njëjtën ecuri ndoqi edhe në periodën e dytë duke e thelluar edhe më shumë rezultatin. Në fundin e kësaj periode të dyja ekipet kishin tetë pikë diferencë duke krijuar idenë se Boston tashmë duhej vetëm të menaxhonte rezultatin.

Megjithatë, përmbysja e madhe erdhi pikërisht në periodën e tretë, e vetmja që përfundoi me avantazhin e Miami Heat. Këta të fundit nuk gabuan pothuajse asnjë gjë në këtë periodë duke përfituar edhe nga paqartësia e kundërshtarit. Për rrjedhojë, Miami mori epërsinë për herë të parë me plot 17 pikë diferencë.

Në periodën e fundit të lojës, Boston Celtics u përpoq të ndryshonte diçka për të arritur përmbysjen, por pa rezultat. Ata arritën të ngushtonin disi shifrat, por pa arritur dot të bënin mrekullinë duke e humbur këtë takim me 11-pikë diferencë.

I pandalshëm në këtë takim ishte i përhershmi Jimmy Butler i cili realizoi 41 pikë, 9 rebound e 5 asist. Zhvilluan një ndeshje të mirë për Miami edhe Tyler Herro dhe Gabe Vincent që realizuan 18 dhe 17 pikë respektivisht.

Nga ana tjetër ishte i përhershmi Jayson Tatum që realizoi më shumë për Boston, 29 pikë, i ndjekur nga Jaylen Brown dhe Payton Pritchard me 24 dhe 18 pikë. /oversport.tv

Foto: Miami HEAT, Twitter