Tirana është duke u treguar shumë aktive në këto ditë të para të merkatos. Bardheblutë kanë konfirmuar në detyrë teknikun Shehi, me të cilin rinovuan kontratën pak ditë më parë, dhe tashmë po punojnë për të ndërtuar skuadrën për sezonin e ri.
Ditën e djeshme u prezantuan dy blerjet më të reja të klubit, portieri Gentian Selmani dhe sulmuesi Kaina, por ditën e sotme ka ardhur edhe largimi i parë nga skuadra bardheblu.
Mbrojtësi maqedonas Kristijan Toshevski ka deklaruar për “Panorama Sport” se nuk do të vazhdojë më aventurën e tij me Tiranën, pasi kontrata e tij me klubin bardheblu ka përfunduar dhe palët nuk kanë negociuar rinovimin e saj.
“Po, është e vërtetë që nuk kam kontratë më me Tiranën. Personalisht kam nënshkruar vetëm një vit më shumë në vitin 2022. Unë nuk jam më pjesë e Tiranës nga tani e në vazhdim. Vendimi është marrë nga të dyja palët. Thjesht nuk pati bashkëpunim. Nuk ka asnjë arsye të veçantë. Thjesht dhe vetëm se kontrata kishte përfunduar. Kaq.”, ka thënë Toshevski. / Oversport.tv