“Jo vetëm Keko, Partizani kërkon edhe të tjerë lojtarë nga ne”, presidenti i Korabit për Oversport: Jemi në bisedime edhe me tre ekipe të Superiores

Flamurtari-Korabi është finalja e madhe e fazës “Play Off” në Kategorinë e Parë, ku të dyja skuadrat do të përplasin “brirët” për të shpresuar deri në fund për elitën e futbollit shqiptar. Në prag të kësaj sfide, nga “Arena e Demave” ka folur për mikrofonin e Oversport, Presidenti i Korabit, Fehmi Mziu.

“Siç e thash edhe në fillim të ndeshjes me Tomorin, Korabi është i ndërtuar si për transferta, si për finale. Përveç gjithë kampionatit që kemi edhe problemet tona, jemi munduar ti sistemojmë në detaj, por si klub ka edhe ngërçet e veta. I përgëzoj djemtë sepse treguan që ka vlerë edhe futbolli i Korabit. Tani duket që nuk është më një Korab i vogël, por i madh. Shpresoj të konkludojë me fitore.

PREMIO- “Premio gjithmonë ka, por edhe këtë herë do të jetë një premio speciale.”

TIFOZËT- “Edhe pjesa e politikës e ka thënë që Dibra është një lagje e Tiranës. Edhe me rrugën që është bërë e kemi më afër. Kemi vendosur edhe transportin falas dhe dibran ka këtu.”

MERKATO- “Po demat e kuq vazhdojnë ende nën vëzhgim. Kemi Kasallën që është nën vëzhgimin e Partizanit, si dhe për lojtarë të tjerë. Kemi gjithashtu edhe bisedime me klube të tjera të Superiores, si Skënderbeu, Teuta dhe Laçi.”

SKUADRA- “Kemi në ndërthurje lojtar të rinj dhe me eksperiencë. Kemi çuna të rinj që do t’i nxjerrim në treg.”

EKIPI QË PREFERON NË FINALEN PËR ELITËN- “Unë e kam theksuar edhe në herë të tjera, më vjen keq për Kastriotin që ra nga Kategoria, sepse nga Kastrioti deri tek ekipi që do të shpallet kampion nesër janë ekipe elitarë dhe e meritojnë elitën. Të gjithë kanë lojtarë cilësorë dhe efikas”, tha ndër të tjera presidenti Fehmi Mziu.

Sa i përket situatës së Partizanit, këta të fundit kanë blerë më parë nga Korabi, sulmuesin Albers Keko (konfirmuar nga vetë Presidenti i Korabit dhe lojtari), dhe Oversport ka mësuar se demat do të paguajnë shifrën prej 40 mijë eurosh për të.  /oversport.tv