Jorginho: Mendoj për Topin e Artë, Italia nuk është favorite në Botëror

Jorginho flet sërish për vitin 2021, që në aspektin individual ka qenë i shkëlqyer, pas triumfeve me Chelsean dhe kombëtaren italiane të futbollit:

“Të fitoj Topin e Artë? Pse, jo. Gjithsesi mundohem që të mos krijoj pritshmëri të mëdha. E di që për një lojtar të rolit tim është më e vështirë, ndonëse do të më pëlqente shumë që një futbollist që luan në pozicionin tim një ditë të vlerësohet si më i miri në botë”, ka thënë mesfushori për “Globo Esporte”.

Mesfushori ka folur edhe për kombëtaren italiane me të cilën u shpall kampion i kontinentit: “Të fitonim Botërorin do të ishte diçka e madhe. Sigurisht që Champions dhe Europiani nuk janë për tu hedhur, por Kupa e Botës është diçka që ua kalon të gjithave: është maja.

Nuk mund të ankohem, por ka gjithmonë hapësirë për ndonjë trofe tjetër. Nuk besoj se do të jemi favoritë, megjithëse pas asaj që bëmë në Euro 2020, nuk mund të na nënvlerësojnë”.

Humbja përballë Spanjës në gjysmëfinalen e Nations League, që erdhi pas 37 rezultatesh pozitive radhazi nuk ka lënë ndonjë shenjë të veçantë: “Ishte e pashmangshme, me një lojtar më pak dhe përballë skuadrës më të keqe që mund të kesh përballë kur je me 10 lojtarë.

Por më pas mundëm Belgjikën, që zë vendin e parë në renditjen e FIFA-s. Besoj se Italia mund të vazhdojë të bëjë krenare të gjithë vendin”, ka përfunduar Jorginho. /Oversport.tv