Josa: Ardhja e Bekimit ka shtuar entuziazmin, ndaj Laçit duam vetëm fitoren

Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa ka folur për mediat në një konferencë për shtyp në prag të sfidës së radhës në kampionat kundër Laçit, që do të luhet nesër në orën 16:00 në “Loro Boriçi” dhe do të transmetohet në Oversport dhe Tibo.

“Nesër luajmë me Laçin, një skuadër që kohët e fundit është në rritje, pavarësisht humbjes me Tiranën apo në Kukës. Një skuadër që kërkon të shkojë më lart dhe që ka në përbërje futbollistë të mirë, ne duhet ta vlerësojmë maksimalisht ndeshjen.

Nuk mund të them që një skuadër po rritet pas dy tre javësh, ne jemi munduar të kemi këtë ritëm gjatë gjithë vitit, ka pasur oshilacione në skuadër, mund të themi që dy ndeshjet para mbylljes së vitit nuk na bënë mirë, e rregulluam pak në ndeshjen me Teutën dhe tani jemi futur në një periudhë të re, mungon entuziasti brenda për brenda dhe përqendrimi për të bërë gjithçka në fushë.

Balaj do të jetë pjesë e grumbullimit, nuk e di nëse do të luaj do të shohim gjendjen e tij. Por di të them se është një plus i madh për ne, duhet të presim ta fusim në momentin e duhur që të mos i bëjmë dëm as atij as ekipit. Akoma se kam vendosur kush do të aktivizohet, por do të luhet në të njëjtën mënyrë si ndeshjet e tjera. Nuk ka ende të rikuperuar pasi Boshnjaku, Latifi, Bulakoviç janë jashtë skuadre. Do të shohim se si do të rikuperohen këto mungesa që ne kemi.

Duhet të fitohet me patjetër ndeshja. Unë nuk flas që ti afrohemi kreut, unë dua që skuadra të ketë entuziazëm dhe të japë rezultate të mira. Futbollistët e mi duhet të jenë të fokusuar vetëm tek ndeshja dhe të mos shohin kreun sepse mund të vijnë momenti që të jemi më afër kreut dhe pastaj do të kemi probleme, duhet të shohim mënyrën tonë të lojës, impenjimin dhe të jemi të bashkuar. Pa entuziazëm nuk ka futboll lirshëm, nuk shprehesh si duhesh në fushën e lojës, ardhja e Bekimit ju ka ngritur entuziazmin”, ka thënë mes të tjerash Josa. / Oversport.tv