Trajneri i Vllaznisë Mirel Josa ka folur për mediat në një konferencë për shtyp në prag të sfidës së nesërme kundër Partizanit, që do të luhet në orën 16:00 dhe do të transmetohet live në Oversport dhe Tibo.
“Në fillimin e vitit duhet të përballemi me Partizanin, skuadrën kryesuese të kampionatit. E vetmja gjë që do ndryshoj është rikuperimi i Shehit i cili me shumë mundësi do të jetë në lojë nesër dhe pjesa tjetër e skuadrës do të jetë e njëjta. Luajmë me një rival që ka treguar ngritje gjatë pjesës së fundit të kampionatit. Jemi në një pozicion të mesëm dhe na interesojnë pikët, është një ndeshje që të dy ekipet do të dëshirojnë ta fitojnë. Gjatë periudhës së fundit jemi stërvitur në fushë pothuajse të njëjtë me atë të Partizanit, është një gjë e re dhe do shkojmë të luajmë dhe të ambientohemi.
Jemi në një periudhë lëvizjesh lojtarësh, nuk dua të flas për lojtarë të veçantë, kam biseduar me klubin, Heriç është kontigjenti i klubit. Lojtarët e Vllaznisë më kanë dhënë besim, por duhet të rikuperon ashtu si Latifi i cili është stërvitur, por ka ndjerë dhimbje. Kemi punuar që të sjellim lojtarët të rinj, por varet nga marrëveshja që arrihet mes klubit dhe atyre.
Unë kam bërë propozime për përforcime dhe klubi është në diskutime, nuk ia vlen të diskutohet kur s’ka asgjë konkrete. Unë skam përplasje me asnjë lojtar, nëse bën punën ashtu siç dua unë bujrum le të luajë, nëse jo, unë nuk mund të spekuloj në kurriz të skuadrës sepse është e gjitha që luan dhe jo një individ”, ka thënë mes të tjerash Josa. / Oversport.tv