Josa: Një fitore e rëndësishme, duam vazhdimësi në rezultate

Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa ka folur për emisionin “Ti Bo Gol” në Oversport pas suksesit përballë Partizanit.

“Jam i kënaqur për fitoren, lojtarët po më përgjigjen pavarësisht problemeve që kemi pasur. Është shumë e rëndësishme të fitosh në transfertë përballë Partizanit kryesues. Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë, por duhet të finalizonim.

Në pjesën e dytë nuk jam i kënaqur me 20 minutat e para, pasi humbëm shumë lehtë topin. Por më pëlqeu reagimi i lojtarëve, që pas pësimit të golit.

Kur do vijë Vllaznia e vërtetë? Të gjithë duam vazhdimësi në rezultate. Duhet të jemi me këmbë në tokë, kemi pasur probleme me dëmtimet dhe kemi pasur oshilacione. Nuk u zgjidhën problemet pas kësaj fitoreje. Duam disa fitore rresht, është shumë e vështirë për tu arritur”, ka thënë Josa. / Oversport.tv