Josa: Nuk është një derbi, por një sfidë e rëndësishme! Duam fitoren

Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa ka folur në një konferencë për shtyp për mediat në prag të sfidës kundër Partizanit, që do të luhet nesër në “Loro Boriçi” në orën 17:45 dhe do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

Tekniku i kuqebluve ka folur për kundërshtarin dhe për pretendimet e shkodranëve në këtë takim.

“S’mund t’i themi ndeshje derbi, sepse nuk janë dy skuadra të një qyteti. Është një ndeshje e rëndësishme, si të gjitha të tjerat. Partizani do të japë maksimumin pas humbjes me Tiranën. Do të jetë një skuadër shumë e kujdesshme dhe ne duhet të kemi parasysh se çfarë duhet të bëjmë në fushën e lojës. Duhen rregulluar disa gjëra, duhet të futemi më shpesh në zonën e kundërshtarit dhe të jemi të saktë në pasin e fundit. Nuk duhen humbur ekuilibrat e skuadrës, sepse Partizani është një skuadër që ka lojtarë cilësorë.

Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet. Edhe sikur të ishim në pozita më të mira në klasifikim, edhe sikur të ishim në pozita më këqija në klasifikim, unë do të them të njëjtat fjalë, që ne duhet të fitojmë ndeshjen.

Latifi, Boshnjaku dhe Heriç nuk do të jenë nesër. Kemi pasur probleme dhe me Hakajn. Do të shohim si do të shkojnë në stërvitjen e fundit sot dhe më pas do të vendosim.

Nuk duhet t’i futemi shumë ndeshjes me Teutën. Ajo sfidë pati dhe të mirat e veta, pati edhe dobësitë e veta. Dobësi kishim në pasin e fundit, duhet të ishim shumë të kujdesshëm. Mua më kënaq paraqitja edhe dëshira e lojtarëve, për të bërë më tepër se ndeshja e kaluar. Dhe kjo dëshirë më mbush me optimizëm për nesër. Duhet të bëjmë më tepër në sulm, për të shënuar më shumë.

Luhatjet janë gjëra që janë brenda përbrenda një skuadre futbolli. Po të mos kishim luhatje atëherë do t’i kishim pikët e plota. Nuk ka skuadër që i ka pikët e plota, edhe në kampionatet e tjera.

Nuk flas për skuadra të tjera. Mua më intereson vetëm skuadra ime. Ndeshja e nesërme është një ndeshje mes dy skuadrave që kanë qenë rivale me njëra-tjetrën gjatë gjithë kohës.

Tifozeria edhe në Durrës na përkrahu. Edhe ne duam të bëjmë më të mirën, për tifozerinë, veten tonë, skuadrën dhe individin brenda skuadrës. Unë pres nga të gjithë lojtarët të më vënë në pozita të vështira që çfarë të bëj për ndeshjen tjetër”, ka thënë mes të tjerash Josa. / Oversport.tv