Juric ka keqardhje: Mund t’i ndëshkonim, kur mori “xhirot” Juve u bë e vështirë

Torino humbi në derbi përballë Juventus me rezultatin 1-0, ndeshje e transmetuar në Oversport dhe e vlefshme për javën e 7-të të Serie A.

“Demat” e nisën pjesën e parë me raste të shumta për shënim, por pa rezultat, ndërsa në të dytën bardhezinjtë u treguan më të saktë dhe shënuan me anë të Manuel Locatellit në minutën e 86-të.

Trajneri i Toros, Ivan Juric, e justifikoi këtë humbje duke e lidhur me rastet e humbura në pjesën e parë. “Ishte një pjesë e parë e mrekullueshme. Kishim mundësinë për ta dëmtuar Juven më shumë, por nuk ia dolëm”, tha fillimisht kroati.

Sipas tij, me fillimin e pjesës së dytë Juventusi rriti intensitetin e lojës dhe u përpoqën ta administronin presionin. “Për fat të keq dëmtimet na kushtëzuan të luanim në pozicione të ndryshme dhe u përpoqëm të bënim diçka me taktikat e reja.

Ishte e vështirë sepse na mungonte Djidji në mbrojtje dhe mbi të gjitha ishim pa sulmues”, shpjegoi Juric më tej. Tekniku kroat ndjen keqardhje që Torino nuk mori pikë, pasi luajtën mirë për një periudhë të gjatë të ndeshjes.

“Ishim superiorë dhe duhet të përshtateshim, ashtu siç ata bënë në pjesën e parë. Gjithashtu ishim përballë një skuadre si Juventusi, me emra të mëdhenj. Kur ata rritën ritmin u bë e vështirë për ne”.

“Më vjen keq për pjesën e parë. Kishim mundësitë për t’i goditur, por nuk i shfrytëzuam si duhet”, përfundoi trajneri Juric. Torino e tij numëron 8 pikë në 7 javë kampionat dhe sot dëshira ishte e madhe për të marrë pikë, sidomos pas ngacmimit të djeshëm që janë skuadra e parë e qytetit. / oversport.tv