Juventus-Chelsea supersfida e mbrëmjes, edhe Atalanta e Gjimshitit zbret sot në fushë

Champions League do të vijë sot në mbrëmje me 8 përballje shumë interesante (Grupet E, F.G dhe H luajnë ndeshjet e dyta), ku sfida Juventus-Chelsea është ajo që spikat më shumë. Bardhezinjtë e Allegrit do të përballen me kampionët në fuqi të turneut, në një sfidë që do të vendosë se kush do të qëndrojë në krye të këtij grupi. Zeniti dhe Malmo do të kërkojnë pikët e para në Champions, në ndeshjen tjetër të grupit H.

Edhe Atalanta do të zbresë në fushën ditën e sotme në orën 18.45. Të besuarit e Gasperinit do të synojnë fitoren e parë sezonale në Champions, përballë Young Boys, që kryeson grupin F. Manchester United-Villareal është takimi tjetër i këtij grupi.

Bayern Munich-Dynamo Kyiv dhe Benfica-Barcelona janë dy sfidat e sotme të grupit E. Katalanasit e Koemanit kërkojnë të reagojnë në Portugali, pas disfatës që pësuan në “Camp Nou” përballë Bayernit në ndeshjen e parë. Dynamo dhe Benfica pas barazimit mes tyre ne ndeshjen e parë, synojnë surprizën në takimet e sotme.

Ka ekuilibër të plotë në Grupin G, pasi ndeshjet e para mbaruan në barazim dhe të katërta skuadrat kanë nga 1 pikë në tabelën e klasifikimit. Në takimet Salzburg-Lille dhe Wolfsburg-Sevilla skuadrat do të kërkojnë suksesin e parë në Champions League këtë sezon. / Oversport.tv