Juventus e bën sefte në shtëpi, mposht Sampdorian dhe vazhdon ngjitjen

Emocione dhe shumë gola ka dhuruar sfida në stadiumin “Allianz” mes Juventusit dhe Sampdorias. Bardhezinjtë kanë arritur fitoren e parë sezonale në shtëpi dhe të dytën radhazi në kampionat, pasi kanë mposhtur Sampdorian 3-2.

Të besuarit e Allegrit kanë nisur shumë mirë ndeshjen dhe në minutën e 10-të kanë gjetur golin e avantazhit me Dybalan. Në momentin e tij më të mirë argjentinasi dëmtohet dhe detyrohet të dalë nga fusha e blertë në minutën e 22-të.

Juventusi vazhdon të dominojë dhe shfaqet rrezikshëm me Chiesan, ndërsa Morata shpërdoron një mundësi të mirë për gol. Bonucci dyfishon me penallti në minutën e 43-të, por Sampdoria kundërpërgjigjet menjëherë duke shkurtuar diferencën me Yoshida vetëm një minutë më pas.

Pëson sërish gol skuadra bardhezi, ndeshja e 20-të radhazi në Serie A, që nuk e mban dot rrjetën të paprekur.

Pjesa e dytë nis sërish me dominimin e Juventusit që arrin të shënojë edhe golin e tretë me Locatellin në minutën e 57-të. U duk se “zonja e vjetër” vulosi fitoren, por veterani Candreva shënoi golin e dytë për Sampdorian 7 minuta para përfundimit të takimit.

Asgjë nuk ndryshon në minutat e mbetura të sfidës dhe Juventusi arrin një fitore me vlera, që e ngjit në kuotën e 8 pikëve në tabelën e klasifikimit.

Juventus-Sampdoria 3-2

Dybala 10’, Bonucci 43’ (pen), Locatelli 57’/ Yoshida 44’, Candreva 83’