Juventusi fiton minimalisht ndaj Veronës, zona Champions tashmë nuk është larg

Juventusi nuk gabon në sfidën e javës së 28-të të Serie A pasi mposht në Torino, Hellas Veronën me rezultatin minimal 1-0. Për “Zonjën e Vjetër” mjaftoi një gol i realizuar nga Moise Kean në pjesën e dytë të takimt për të dalë me pikë të plota duke ngushtuar diferencat me zonën Champions.

Është Verona që jep shkëndijat e para të rrezikshme në këtë përballje me Depaolin që i shkon shumë pranë golit. Nga ana tjetër Juventusi përgjigjet me Danilon, i cili është i pafat pasi godet shtyllën. Pjesa e parë megjithatë, mbyllet me rrjeta të paprekuara, ndërsa në të dytën panorama është e ndryshme.

Moise Kean zhbllokon rezultatin në minutën e 56-të duke kaluar në avantazh Juventusin. Më pas bardhezinjtë të qetësuar edhe nga goli i realizuar mendon të menaxhojë lojën dhe ia del mjaft mirë. Pavarësisht disa rasteve të Veronës, bardhezinjtë nuk pësojnë gol dhe sfida mbyllet me fitoren minimale të Juventusit.

Me këtë triumf, pavarësisht 15 pikëve të hequra nga gjykata, Juventusi rikthehet bindshëm në luftën për një vend në zonën Champions. Tashmë të besuarit e Allegrit ndodhen vetëm 4 pikë më pak se Milani i vendit të katërt, që do të luajë ditën e diel supersfidën ndaj Napolit kryesues. /oversport.tv

Foto: JuventusFC, Twitter