Juventusi i ka idetë e qarta: Morata bllokohet veç për Interin, pastaj shitet

Alvaro Morata do të largohet nga Juventusi brenda fundit të këtij muaji, por ikja e tij nuk do të jetë shumë e lehtë. Trajneri Allegri është sqaruar me spanjollin, pavarësisht se në Barcelonë janë të bindur se transferimi i tij te skuadra baugrana është vetëm çështje ditësh.

Sulmuesi bardhezi do të lihet i lirë vetëm pasi të gjendet zëvendësuesi i tij dhe pasi të ketë luajtur në Superkupën e Italisë kundër Interit, sfidë që paraprihet nga ndeshjet e mëdha kundër Napolit dhe Romës.

Që të largohet sulmuesi, duhet që të vijë dikush tjetër në repartin e avancuar. Objektivi numër një është Mauro Icardi, por po haset në vështirësi në arritjen e marrëveshjes me PSG, pasi francezët kërkojnë shitjen përfundimtare ose një hua me të drejtë blerjeje, ndërsa në Torino synojnë një huazim të thjeshtë.

Një alternativë tjetër mbetet Gianluca Scamacca, por që gjithashtu duket një operacion i vështirë, pasi Sassuolo kërkon më shumë se 20 milion euro për kartonin e sulmuesit, ndërsa duhet mposhtur edhe konkurrenca e Interit.

Por ka edhe një emër të tretë, që qëndron në krye të listës së Allegrit. Bëhet fjalë për Luis Suarez, të cilin Juventusi e ka kërkuar edhe para dy vitesh. Por ka qenë uruguaiani ai që ka thënë jo, pasi pas aventurës me Atletico Madrid synon një eksperiencë në MLS. / Oversport.tv