Juventusi për të flakur krizën, përballë Samp synon fitoren e parë në Torino

E diela sportive në Oversport do të nisë me takimin Juventus-Sampdoria, që do të luhet në orën 12.30 në stadiumin “Allianz”.

Pas një starti zhgënjyes, më i dobëti në 60 vitet e fundit, Juventusi arriti të marrë fitoren e parë në kampionat në transfertën kundër Spezias në mesjavë.

Të besuarit e teknikut Allegri kërkojnë t’i japin vazhdimësi këtij suksesi, duke synuar fitoren e parë sezonale në shtëpi në sfidën e sotme kundër Sampdorias. 5 pikë në 5 ndeshje të luajtura, janë shumë pak për një skuadër si Juventusi, që synon gjithmonë majat e klasifikimit të Serie A.

Bardhezinjtë besojnë se e kanë lënë pas krahëve këtë moment të vështirë, prandaj në sfidën e sotme kërkojnë vetëm tre pikët. Tekniku Allegri pritet të bëjë disa ndryshime në formacion.

Në portë do të luajë që nga minuta e parë Perin, ndërsa në mesfushë Ramsey duket se do ta nisë si titullar. Rikthehen në formacionin titullarë edhe Cuadrado, Alex Sandro dhe Locatelli, ndërsa në sulm pritet të luajë dyshja Dybala-Morata.

Edhe Sampdoria qëndron në kuotën e 5 pikëve në tabelën e klasifikimit. Miqtë u mposhtën 4-0 nga Napoli në ndeshjen e mesjavës. Skuadra e teknikut Roberto D’Aversa synon surprizën në transfertën e sotme në Torino, duke kërkuar një rezultat pozitiv.

Formacionet e mundshme

Juventus (4-4-2): Perin; De Sciglio, Bonucci, De Ligt, Alex Sandro; Cuadrado, Locatelli, Ramsey, Bernardeschi; Dybala, Morata.

Sampdoria (4-4-2): Audero; Bereszynski; Yoshida, O. Colley, Augello; Candreva, Thorsby, Silva, Damsgaard; Quagliarella, Caputo.