Juventusi i nxori mësimet e duhura nga ndeshja kundër Venezia dhe sonte iu gëzua tre pikëve mes mjegullës në ndeshjen kundër Bologna, pasi fitoi me rezultatin e pastër 2-0 në transfertë.
Bardhezinjtë iu përgjigjen Romës, që sot mposhti ekipin e Atalantës. Skuadra e Max Allegri e zhbllokoi ndeshjen që në minutën e gjashtë, kur Bernardeschi dha një pasim fantastik dhe Alvaro Morata e çoi topin në rrjetë.
Goli ndryshoi edhe rrjedhën e lojës, pasi Juventusi lejoi skuadrën e Bologna të kontrollonte më shumë topin. Svanberg kishte të gjitha mundësitë për ta barazuar në pjesën e parë, por nuk ia doli dot.
45 minutat e para u mbyllën me rezultatin 0-1 dhe sërish bardhezinjtë lëshuan terren, por Bologna nuk kishte rrezikshmërinë e duhur. Për t’i mbyllur llogaritë mendoi Juan Cadradro.
Kur kishin mbetur edhe 20 minuta lojë, anësori kolumbian goditi fort nga jashtë zone dhe e çoi topin në rrjetë, edhe me ndihmën e një devijimi. Me dyfishimin e epërsisë Juventusi arkivoi tre pikët dhe mund të shënonte edhe golin e tretë në shtesë, po me Cuadradon.
SERIE A – JAVA 18
Bologna-Juventus 0-2
Shënues: Morata 6’, Cuadrado 69’
/ oversport.tv