Juventusi triumfon mes spektaklit në derbin e Italisë, Interi bie në “Meazza”

Juventusi fiton në derbin e Italisë përballë Interit dhe merr tre pikë me shumë vlerë përballë zikaltërve. Një gol në pjesën e parë nga Filip Kostic vendos fatet e këtij takimi me Juventusin që u tregua me konkret përpara portës, ndërsa të besuarit e Inzaghit pësojnë humbjen e tretë në katër ndeshjet e fundit.

Ka menjëherë ritëm në “Giuseppe Meazza” me Interin që rrezikon që në minutat e para të takimit. Nicolo Barella lëshon një predhë, por Szczesny është i vëmendshëm dhe devijon topin. Është sërish mesfushori zikaltër që ka një tjetër mundësi, por edhe njëherë tjetër pa sukses.

Nga ana tjetër Juventusi tregohet më konkret në finalizim. Filip Kostic në minutën e 23-të shfrytëzon si duhet një pasim të Rabiot dhe me një goditje të bukur lë të palëvizur Onanën që detyrohet thjesht të nxjerrë topin nga rrjeta. Interi nuk pajtohet me këtë rezultat dhe provon të reagojë. Megjithatë, pjesa e parë mbyllet në avantazhin minimal të bardhezinjve.

Në pjesën e dytë, Brozovic ka shansin e parë për Interin, ndërsa Juventusi provon të kapë në befasi zikaltrit me kundërsulme. Kostic dhe Locatelli kanë shanset më të mira për bardhezinjtë që megjithatë nuk shfrytëzohen si duhet. Në fund Interi duket i pafuqishëm të çajë murin e krijuar nga Juventusi dhe rastet e pastra mungojnë. Sfida mbyllet kështu me fitoren minimale të Juventusit që i shkakton humbjen e tretë zikaltërve në katër ndeshjet e fundit.

Tre pikë shumë të rëndësishme për Juventusin që ngjitet në kuotën e 41 pikëve dhe mban vendin e shtatë, ndërsa Interi nga ana tjetër humb vendin e dytë që tashmë e mban Lazio me 52 pikë, 2 më shumë se zikaltrit. /oversport.tv

Foto: JuventusFC, Twitter