“Ka oferta nga Premier League”, prishen planet e Romës për talentin italian

Davide Frattesi e ka shprehur hapur dëshirën e tij për t’u rikthyer te Roma, por planet mund të mos shkojnë ashtu si ai i ka menduar. Edhe pse ditë më parë transferimi i tij në kryeqytet është konsideruar si diçka e sigurt, gjithçka mund të ndryshojë nga ofertat e tjera që kanë ardhur në drejtim të Sassuolos.

Këtë gjë e konfirmon vetë drejtori i Sassuolos, Giovanni Carnevalli i cili ka folur rreth të ardhmes së mesfushorit. Ai u shpreh se ende nuk ka ardhur një ofertë nga Roma, por nga klube të tjera nga Premier League.

“Me Romën kemi një raport të mirë, ne kemi vlerësuar shumë talentë që kanë dalë nga akademia e tyre. Megjithatë, për momentin ofertat për Frattesin kanë ardhur nga Premier League”, tha ndër të tjera Carnevalli. /oversport.tv