Ka shpresa! Shqipëria U21 synon fitoren e radhës përballë Sllovenisë

Pas fitores së arritur përballë Andorrës 2-0 në “Elbasan Arena”, Shqipëria U21 kërkon një tjetër sukses në po të njëjtin stadium (në orën 18:30) në sfidën e sotme kundër Sllovenisë U21.

Shpresat kuqezi janë ngjitur në vendin e dytë në grup dhe tashmë synojnë një tjetër fitore, që të konsolidojnë pozitat e tyre në krye të renditjes dhe të mbajnë gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm në fazën finale të Kampionatit Europian 2023.

Tekniku Bushi nuk ka probleme me mungesat dhe pritet që të hedhë në fushë të njëjtin formacion që mposhti Andorrën disa ditë më parë. Për këtë takim është grumbulluar edhe sulmuesi Eljo Toçi, që është paraqitur shumë mirë me Shqipërinë U19.

Edhe Sllovenia ka zhvilluar 3 ndeshje në këtë fushatë eleminatore dhe aktualisht e sheh veten në vendin e katërt në grup, në kuotën e 4 pikëve. /Oversport.tv