Në një intervistë për MilanTv, Ricardo Kakà ka folur për të shkuarën e tij në klubin kuqezi, për Champions League dhe për Milanin aktual.
“Kujtimet më të bukura në arenën europiane janë padyshim ato që lidhen me Champions League. Muzika, njerëzit në stadium, ndeshja, gjithçka nga ajo që është atmosfera e një ndeshjeje në Champions më kujtohet shumë mirë.
Viti 2007 ishte viti më i bukur në karrierën time, si për rezultatet kolektive edhe për ato personale. Objektivi im nuk ishte që të shpallesha golashënuesi më i mirë. Në vitin 2006 iku Sheva dhe Ancelotti më ndryshoi pak rolin.
U bëra sulmues i dytë, duke luajtur afër Inzaghit dhe u bëra golashënuesi më i mirë i Championsit. Është diçka shumë bukur për mua, sepse e di sa e vështirë është që të arrish atë rezultat”, ka thënë braziliani.
Kaka ka folur edhe për Milanin e Piolit: “Të vjen keq të mos shohësh Milanin në Champions. Tashmë klubi kuqezi po rikthehet si protagonist edhe në Europë edhe në Itali. Është bukur që të shohësh Milanin në këtë kompeticion dhe stadiumin plot me tifozë.
Më pëlqejnë djemtë që ka skuadra. Eksperienca e këtij viti në Champions do ti bëjë djemtë të kuptojnë se çdo të thotë të luash në këtë kompeticion. Më pëlqen përzierja e të rinjve me lojtarët me eksperiencë, sepse kështu ishte edhe Milani ynë dhe kjo gjë na ndihmonte të kuptonim rëndësinë e disa ndeshjeve.
Për të rinjtë është e vështirë që të luajnë kundër klubeve prestigjioze në stadiume me histori dhe plot me tifozë. Shpresojmë që Milani të rikthehet të luajë në Champions edhe vitin tjetër dhe sigurisht që rezultatet do të jenë më të mira, sepse tashmë skuadra ka fituar eksperiencën e duhur”, ka përfunduar Rikardo Kaka. / Oversport.tv