Mbrojtësi i Milanit, Pierre Kalulu aktualisht ndodhet në Francë, ku është grumbulluar me kombëtaren U21. I intervistuar nga L’Equipe, ai kujtoi periudhën e tij të ambientimit me kuqezinjtë.
“E dija se do të kërkonte kohë, por edhe se përmes punës do të gjeja hapësirë, nuk kisha frikë të dështoja. Ëndrra ime ishte të shkoja te Lyoni, por nuk po ndodhte dhe në Francë rrezikoja të harrohesha. Isha i vetëdijshëm se do të duhej pak kohë për t’u përshtatur me qytetin dhe skuadrën e re, shumë më folën për historinë e Milanit në vitet ’90 dhe u magjepsa prej saj”.
Më pas Kalulu vazhdoi: “Të jesh mbrojtës te Milani do të thotë të stërvitesh çdo ditë kundër Ibrahimovic, është e lodhshme dhe konkurruese, por edhe shpërblyese. Si ai ashtu edhe Giroud gjithmonë duan të fitojnë. Seancat tona stërvitore ia vlenë të shihen, mes ndeshjeve dhe dueleve ka gjithmonë një intensitet të madh”. /oversport.tv