Kampionati i lë vendin Kupës, në mesjavë përcaktohen 4 skuadrat gjysmëfinaliste

Në mesjavë do të luhen çerekfinalet e kthimit të Kupës së Shqipërisë, që do të transmetohen live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo. Rezultatet e ndeshjeve të para kanë qenë interesante, por duhet të luhet edhe akti i dytë i këtyre përballjeve që të përcaktohen 4 skuadrat që do të kualifikohen në gjysmëfinale.

Të martën e 14 marsit do të luhen në orën 13:00 dy sfida, që do të transmetohen live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo. Tirana pas suksesit 4-1 në ndeshjen e parë, synon një tjetër fitore përballë Kastriotit, që të sigurojë një vend mes 4 skuadrave më të mira të Kupës së Shqipërisë. Në të njëjtin orar në “Kukës Arena”, vendasit do të synojnë të përmbysin disavantazhin e ndeshjes së parë (2-0), duke kërkuar përmbysjen e madhe përballë Teutës.

Të mërkurën do të luhen 2 sfidat e tjera çerekfinale. Në orën 13:00 Laçi do të presë në shtëpi Egnatian, në një sfidë që do të vendosë se kush do të kualifikohet në gjysmëfinale. ndeshja e parë në Rrogozhinë përfundoi në barazim pa gola, prandaj gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit.

Në orën 16:00 do të luhet superndeshja Partizani-Vllaznia. Shkodranët fituan 3-1 ndeshjen e parë, por kryeqytetasit do të bëjnë të pamundurën që të përmbysin gjithçka në shtëpi, që të mos largohen kaq shpejt nga Kupa, që mbetet një nga objektivat kryesorë të “demave”. Vllaznia mbetet më e avantazhuar për të vazhduar më tej, por përballjet mes dy skuadrave kanë treguar se gjithçka mund të ndodhë. Të katërta sfidat çerekfinale mund ti ndiqni live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo. / Oversport.tv