Kane tradhton Anglinë, Giroud kualifikon Francën në gjysmëfinale

Spektakël dhe emocione të forta ka dhuruar përballja mes Anglisë dhe Francës e vlefshme për një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Botës Katar 2022. Janë “gjelat” ata që festojnë në fund dhe falë fitores 2-1 përballë rivalëve të vjetër sigurojnë një vend mes 4 skuadrave më të mira të Botërorit. Tchouameni dhe Giroud shënojnë për kampionët në fuqi, ndërsa Kane realizon golin e vetëm për anglezët, por kapiteni gabon nga pika e bardhë golin që mund të barazonte ndeshjen.

Franca kualifikohet dhe në gjysmëfinale do të përballet me Marokun, ndërsa Anglia mbyll këtu aventurën në Katar 2022.

Pjesa e parë është e bukur dhe plot ritëm. Francezët e nisin lojën më mirë dhe mundohen të dominojnë lojën, por anglezët mbrohen mirë dhe zbresin rrezikshëm sa herë kanë mundësi.

Franca zhbllokon sfidën me Tchouameni, që realizon një gol shumë të bukur nga distanca, ndërsa Anglia mundohet të reagojë me Kane.

Kapiteni barazon shifrat nga pika e bardhë në pjesën e dytë. Anglia luan më mirë dhe I afrohet golit të avantazhit. Francezët reagojnë me Giroud, që fillimisht flirton me golin dhe në rastin e dytë ndëshkon Pickford dhe kalon “gjelat” në avantazh.

Kane ka mundësinë që të rikthejë sfidën në ekuilibër, por kësaj radhe sulmuesi gabon nga pika e penalltisë dhe godet jashtë nga 11-metrat.

Anglia mundohet të reagojë në minutat e mbetura, por rezultati I sfidës nuk ndryshon më edhe pas kohës shtesë. Franca fiton 2-1 dhe kualifikohet në gjysmëfinale ku e pret Maroku. /Oversport.tv