Kapllani: Kjo ishte ndeshja më e vështirë, për Erzenin çdo ndeshje është finale

Trajneri i Erzenit, Xhevahir Kapllani ka folur për Oversport pas fitores në frymën e fundit kundër Laçit, sukses që ngjit shijakasit në vendin e parë në renditjen e Superiores.

“Kishim një ecuri pozitive. Kjo ishte ndeshja më e vështirë për ne, u kisha thënë djemtë që të kishim kujdes, sepse euforia mund të ndikonte. Djemtë më kuptuan dhe punuan duke arritur këtë fitore.

Çdo ndeshje për ne është finale. Ne luajmë çdo ndeshje për të marrë maksimumin. Do të tregojë koha se sa larg mund të shkojë ky Erzen. Skuadra luajti mirë, deri në minutën e fundit kërkuam fitoren. Skuadra ishte në ekuilibër.

Ndalesa e kampionatit si ndikon? Ky pushim do të na bëjë mirë, sepse kemi lojtarë për të rikuperuar. Do të na shërbejnë shumë këto ditë”, ka thënë Kapllani. / Oversport.tv