Karpin mesazh Gasperinit: Miranchuk nuk është i lumtur tek Atalanta

Aleksey Miranchuk nuk po arrin të gjejë hapësira në 11-en titullare të Gian Piero Gasperinit. Mesfushori rus i Atalantës në këtë pjesë të parë të sezonit ka luajtur vetëm 182 minuta në kampionat, të ndara në 6 ndeshje dhe vetëm 33 minuta në dy takime në Champions League.

Në lidhje me këtë situatë ka folur edhe trajneri i kombëtares ruse, Valery Karpin, që thotë hapur mendimin e tij: “Është e qartë që fizikisht ndihet mirë. Por nëse Miranchuk është në formë apo jo, mund ta them vetëm pas ndeshjes me Qipron (nesër në orën 18:00).

Ka pak rënie nga ana psikologjike. Kam folur me të. Do të luajë dhe nuk është i kënaqur me karrierën e tij aktualisht në Itali. Por u kam kërkuar djemve që të lënë jashtë kombëtares problemet me klubet respektive. E njëjta gjë vlen edhe për Miranchuk”.

26-vjeçari po aktivizohet shumë pak nga Gasperini, prandaj mund të largohet nga Bergamo që në merkaton e janarit. Në lidhje me këtë, agjenti i lojtarit, Vadim Shpinev ka deklaruar disa ditë më parë:

“Në 20 nëntor do të shkoj në Itali, në një takim me drejtuesit zikaltër ku do të diskutojmë të ardhmen e lojtarit që përfaqësoj. Me siguri nuk do të kthehet në Rusi, sepse i pëlqen futbolli italian dhe mënyra e jetesës. Janë edhe 19 klube të tjera në Serie A dhe sapo të hapet merkato do të zbulojmë gjithçka”. / Oversport.tv