Katër klasike në Europë, kush janë lojtarët që i kanë luajtur të katërta sfidat

Çfarë e diele. Teksa skuadra e Oversport, do t’ju sjellë direkt nga stadiumi “San Siro” emocionet e derbit të Italisë mes Interit dhe Juventusit, do të luhen edhe tre përballje të tjera derbi në kampionatet më elitare të Europës.

Barcelona-Real Madrid, Manchester United-Liverpool, dhe Marsejë-PSG kompletojnë “pokerin” e përballjeve derbi që kulmojnë me supersfidën mes Interit dhe Juventusit, ekskluzivisht në Oversport.

Një e përbashkët për të katër këto sfida? Zlatan Ibrahimovic. Suedezi ka qenë pjesë e të katër këtyre takimeve, me Manchester United, PSG, Barcelona dhe Inter apo edhe Juventus.

Për të gjetur një tjetër, duhet rrëmuar më tepër në memorie, teksa edhe Laurent Blanc është një tjetër ish-futbollist që ka zbritur në të katër këto takime.

Nicolas Anelka është gjithashtu pjesë e të katër supersfidave të mësipërme, me dallimin e vetëm që në sfidën Inter-Juve, ka qëndruar në stol pa e provuar emocionin e derbit të Italisë nga fusha. /Oversport.tv