Keko çon Korabin në finalen e “Play Off”-it, Tomori bie në shtëpi

Korabi shkon në finalen e “play off”-it të Kategorisë së Parë pasi mposht në Berat skuadrën e Tomorit dhe vazhdon të shpresojë për një vend në elitën e futbollit shqiptar. Skuadra e Shpend Kumbarçes triumfoi në shifrat minimale 1-0 falë golit të realizuar nga Albers Keko në minutën e 74-t.

Ndeshja nis më mirë për skuadrën vendase që ka mundësinë të kalojë në avnatazh më Ismailaj, por Qyrrani tregohet i vëmendshëm dhe bën një pritje vendimtare duke lënë rrjetat të paprekura. Vazhdon të sulmojë Tomori ende në minutat e para, por pa sukses. Tomori i shkon pranë golit edhe në fundin e pjesës së parë, por topi shkon në tranversë, goditet sërish, ndërsa largohet në vijën fatale.

Me rrjeta të paprekura mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën është sërish Tomori që e nis në sulm dhe i shkon shumë pranë golit, por shtylla i vjen edhe njëherë në ndihmë Korabit. Kur Tomori fiton edhe më shumë terren është Korabi që godet. Albers Keko provon një goditje nga distanca dhe topi shkon në cepin e portës duke e çuar në rrjetë. 1-0 dhe e gjitha skuadra e Korabit është në festë.

Minutat e mbetura nuk arrijnë dot të ndryshojnë rezultatin dhe në fund është Korabi që feston dhe siguron një vend për në finalen e “Play Off” e cila do të zhvillohet më 28 maj. /oversport.tv