“Keko do të na paguajë drekën”, Lila: Ndeshjen e kishim përgatitur vetë në këtë mënyrë

Pas fitores në finalen e “Play Off”-it përballë Flamurtarit, Vilson Lila, lojtari i Korabit u shfaq shumë i lumtur. Në intervistën për Oversport, Lila nuk i kurseu dhe batutat, për lojtarin e ri të Partizanit, Albers Keko.

“Besoj se bëmë maksimumin dhe ia dolëm. Respektuam punën që bëmë gjatë gjithë javës, pasi e kishim studiuar shumë mirë ekipin kundërshtar dhe zoti na shpërbleu me mundin për këtë ndeshje.”

STRATEGJIA- “U duk sikur ekipi i Flamurtarit fitoi më shumë terren pasi ne e kishim përgatitur ndeshjen në këtë mënyrë, sepse ekipi i Flamurtarit ka lojtarë shumë të fortë në përballjet një kundër një dhe ne menduam t’i dublonim. Dëmtimi i kapitenit Mziu na penalizoi edhe pak moralisht, më pas pësuam edhe golin dhe filluam të mendonim për shtesat.

Goli ishte fat, kemi fat që kemi një sulmues si Keko. Tani është një lojtar i Partizanit dhe ne shpresojmë të na ndihmojë edhe në ndeshjen e fundit dhe më pas i uroj gjithë të mirat.”

DËMTIMI I MZIUT-  “Deshi Zoti që ne ta shpërblenim për atë dëmtim që pati. Pas informacioneve të fundit kam mësuar se është mirë. Shpresoj të rikuperohet për ndeshjen e ardhshme sepse është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Ka mbi 7-8 vite që është kapiteni jonë dhe shpresojmë ta kemi në fushën e lojës në një finale të madhe që është ajo për t’u ngjitur në Superligë.”

FESTA- “Besoj se nesër do të shohim se kush do të jetë edhe kundërshtari i radhës. Besoj se 3-4 ditë janë shumë pak për të përgatitur një ndeshje, dhe do të jetë e vështirë sepse është fundi i sezonit, gjithashtu do të luajmë në fushë të kundërshtarit, dhe kemi vetëm 1 rezultat. Shpresoj të arrijmë objektivin maksimal”

TRANSFERIMI I KEKOS- “Keko do të transferohet në një ekip shumë të madh dhe e ka ai për detyrë të na paguajë një drekë. Besoj edhe për suportin që i kemi dhënë gjatë gjithë vitit dhe për karrierën që e ka përpara”, tha ndër të tjera Vilson Lila. /oversport.tv