“Kemi 90 minuta për të përmbysur Interin”, Conceiçao nuk fshihet: I njoh mirë

Një mision i vështirë, por jo i pamundur. Porto kërkon të përmbysë rezultatin e sfidës së parë në fazën e 1-8-ve në Champions League përballë Interit dhe ditën e martë në orën 21:00 do të jetë koha e së vërtetës. Në prag të kësaj sfide ka dalë në konferencë për shtyp trajneri Sergio Conceiçao i cili u shfaq optimist dhe besimplotë se mund të eliminojnë zikaltërit nga kompeticioni më i rëndësishëm europian për klube.

“Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar, shumë e vështirë, kundër një ekipi plot me lojtarë të mëdhenj. Ne e njohim kundërshtarin tonë, por mbi të gjitha dimë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Duhet të kemi intensitet, të bëjmë mirë presion, të jemi agresivë dhe mbi të gjitha, inteligjentë”.

NDRYSHIMET NGA NDESHJA E PARË- “Ndeshjet mund të jenë të ngjashme, por nuk janë kurrë të njëjta. Do të varet shumë edhe nga lojtarët që do të dalin në fushë për Interin, për shembull mendoj se ka dyshime për Skriniar. Nuk e di nëse Dumfries do të luajë, nëse Gosens do të jetë. Pastaj ata kanë Dzekon, Lukakun dhe Lautaron, vetëm dy prej tyre do të luajnë. Më pas do të varet nga strategjia që ne do të ndjekim.”

PËRGATITJA- “Ne e kemi përgatitur ndeshjen në përputhje me karakteristikat tona. Në ndeshje të një niveli të lartë ne duhet të luajmë ashtu siç dimë, ashtu siç ndihemi më rehat. Nëse përshtatemi shumë me kundërshtarin, gjërat mund të mos shkojnë aq mirë sa duam. Jemi në gjysmë të rrugës. Kemi 90 minuta për të përmbysur rezultatin, por për ta bërë këtë duhet të jemi inteligjentë gjatë gjithë ndeshjes.

SITUATA TEK INTERI- “Unë nuk jam trajneri i Interit, por të gjitha humbjet janë të rënda për një klub si Interi që kërkon vetëm të fitojë. Megjithatë, ndeshjet e Champions League janë të ndryshme, në planin mental problemet nga humbjet në kampionat nuk do të ndikojnë në lojë nesër”, tha ndër të tjera Sergio Conceiçao. /oversport.tv

Foto: Screenshot, FC Porto, Facebook