“Këpuca e artë”, Hasani ngjitet në fron pas dy golave që shënoi ndaj Laçit

Tetë javë pas largimit të Redon Xhixhës, Tirana e rimerr sërish kreun e klasifikimit sa i përket kryegolashënuesit të kampionatit. Florent Hasani, me paraqitjen e fundit ndaj Laçit, me dy golat e shënuar, ka barazuar në kuotën e 11 golave sulmuesin e larguar të bardhebluve duke u ngjitur ai në fron dhe duke u bërë pretendenti kryesor për këpucën e artë.

Me këtë dopietë, Hasani parakalon Xhuliano Skukën, gjithashtu të larguar në merkaton e dimrit si dhe kalon Patrik Nonaton, sulmuesin e Erzenit që deri më tani është ndalur në kuotën e 9 golave. Kallaku, Kahrimanovic e Dëamena ndjekin listën me nga shtatë gola, me mesfushorin e Teutës dhe sidomos sulmuesin e  Egnatias që po tregojnë formë fantastike dhe mund të premtojnë të tjerë gola deri në fund të këtij sezoni.

Në top dhjetëshen e shënuesve deri më tani mbetet Adeleke i larguar nga Laçi, Herald Marku i Vllaznisë dhe Patrick Robson i bardhebluve. Të tre në kuotën e gjashtë golave. Me Adeleken të larguar dhe Patrick të dëmtuar, gjasat janë vetëm për Markun që të mund të zërë një vend edhe më të lartë në renditjen e shënuesve të kampionatit deri në fund.

Renditja e golashënuesve

F.Hasani (Tirana)  11 gola

R.Xhixha (Tirana) 11 gola

Xh.Skuka (Partizani ) 10 gola

P.Nonato (Erzeni) 9 gola

R.Dwamena (Egnatia) 7 gola