“Kërko falje se ke ofenduar Afrikën”: debat mes gazetarit dhe Jurgen Klopp

Mbrëmjen e djeshme Jurgen Klopp është bërë protagonist në një debat me një gazetar, që e ka akuzuar se e ka përkufizuar Kupën e Afrikës që turne të vogël. Gazetari ka kërkuar nga trajneri gjerman që të kërkojë falje publike.

Nga ana e tij, Klopp iu përgjigj kështu: “Në fjalët e mia nuk kam dashur asnjëherë që të them se Afrika dhe Kupa e saj janë “të vogla”. Kam thënë që nuk ka më pushime për ndeshjet e kombëtareve deri në mars dhe më pas kam thënë: oh, jo, është një turne i vogël në janar.

Ishte gjithçka ironike. Padiskutim që është një turne i madh, aty shkojnë lojtarët e mi më të mirë. Nuk do ta mendoja kurrë diçka të tillë”, ka deklaruar Klopp, që më pas është hedhur në kundërsulm:

“Nuk ishte ky qëllimi im, por duket se ti ke arritur në këtë përfundim dhe nëse duhet të jem i sinqertë, kjo nuk është diçka e mirë”. / Oversport.tv