Kessie-Milan shumë larg rinovimit të kontratës, GDS zbulon planin e janarit

Franck Kessie është një çështje te Milani. Mesfushori, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e Champions League kundër Atletico Madrid, ka shumë shanse që të largohet. Në janar apo në verë, kjo mbetet për t’u parë.

Gazzetta dello Sport shkruan se te Milani janë të shqetësuar dhe po mendojnë edhe për një plan B, që mund të sjellë shitjen në janar te PSG, ose te klube si Tottenham dhe Manchester United që janë të interesuar për shërbimet e mesfushorit nga Bregu i Fildishtë.

Deri më tani palët nuk kanë ndryshuar qëndrimet e tyre. Milani ofron 6.5 milion euro në sezon për Kessie, i cili nga ana tjetër pretendon 8 milion euro. Diferenca mendohet e pakapërcyeshme për momentin.

Në këto kushte Milani po mendon që në janar të marrë nga Bordeaux Yacine Adli, mesfushorin që kuqezinjtë e blenë këtë verë, por e lanë në huazim te francezët deri në fund të sezonit. Nëse Kessie shitet, kjo lëvizje mund të kthehet në domosdoshmëri. / oversport.tv