Kjaer i dashuruar me Milanin: Do të doja të luaja 15 vite si kuqezi

Simon Kjaer është dashuruar me Milanin. Në më pak sesa 2 vite u shndërrua në një lider të ekipit kuqezi dhe tani dëshiron që ta mbyllë karrierën duke mbajtur veshur fanellën e skuadrës së Milanos. Diçka të tillë nuk e konfirmon vetëm firma në kontratë, por edhe fjalët pozitive që ka thënë nga grumbullimi me Danimarkën.

“Asnjë klub në botë nuk mund të më bindte për të më transferuar, nëse paralelisht do të më kërkonte edhe Milani. Shpresoj që ta mbyll karrierën në këtë skuadër. Ndihem mjaft mirë aty”, ka thënë mbrojtësi danez. Madje ai ka një peng që nuk ka luajtur dot më shumë vite në Serinë A me “Djallin”.

“Nëse do të ndryshoja diçka në karrierën time? Sigurisht. Do të doja të luaja për 15 vite me Milanin”, thotë Kjaer. Ai u rikthye në formë pas disa sezoneve pa sukses dhe këtë vit do të tentojë të fitojë titullin kampion në Itali. /Oversport.tv