Kjaer premton besnikëri: Rinovimi? Nuk kemi folur, por jam i lumtur te Milani

Simon Kjaer është kthyer në një nga pikat e forta të Milanit të Piolit, por skadimi i kontratës në qershor të vitit 2022 detyron drejtuesit e klubit kuqezi që të lëvizin që tani për rinovimin, që të evitojnë situata të pakëndshme që janë parë në të shkuarën e afërt.

Nga grumbullimi i kombëtares së Danimarkës, në prag të sfidës së të shtunës kundër Moldavisë për kualifikueset e Kupës së Botës, Katar 2022, Kjaer ka folur edhe për të ardhmen e tij:

“A jam më afër rinovimit të kontratës me Milanin? Jo, por gjithsesi jam jashtëzakonisht i lumtur që luaj me skuadrën kuqezi”.

Mbrojtësi i Piolit ka shtuar: “Kam kaluar aq shumë momente në futboll, saqë nuk dua të përqëndrohem në këtë aspekt. Ndihem mirë, më pëlqen të luajë dhe më shijon jeta tek Milani.

Klubi e njeh mendimin tim në lidhje më këtë temë dhe pozicionin tim për këtë çështe. Kur të dojë të zgjidhë këtë çështje e di shumë mirë, që mund të më telefonojë”, ka përfunduar mbrojtësi i Milanit dhe Danimarkës, Simon Kjaer. /Oversport.tv