Klasikja për titullin, Vllaznia-Tirana si barometër për Superioren

Fitoret ndaj Egnatias dhe Kukësit për Tiranën dhe Vllazninë janë një antipastë e mirë për klasiken e futbollit shqiptar. Në fundjavë, dy ekipet do të sfidojnë njëra-tjetrën në një duel që vlen më shumë sesa 3 pikët. Historia është ajo që nxeh situatën, por mbi të gjitha objektivat që kanë të dyja ekipet.

Nuk ka kohë për shumë festë në kampet e të dyja ekipeve, sepse dy trajnerët e dinë që ky është një kampionat specifik, ku asgjë nuk është e sigurt. E di mirë Tirana e vendit të parë që ka një distancë 6 pikë me ndjekësit, përkatësisht Partizani dhe Vllaznia. E dinë mjaft mirë edhe shkodranët që kanë herë pas here ulje-ngritje.

Dueli i së dielës që do të transmetohet live në Oversport do të tregojë shumë për vazhdimësinë e kampionatit, edhe pse jo gjithçka. Një fitore e Tiranës do t’i jepte një goditje Vllaznisë që do ta shihte veten 9 pikë nga kreu i klasifikimit, ndërsa një fitore e shkodranëve do të shtonte besimin tek këta të fundit për ta mbajtur garën të gjallë dhe interesante.

Mirëpo nga dueli i dy skuadrave, mund të përfitojë një i tretë. Partizani që kërkon të rikthehet te fitorja dhe dëshiron t’i bëjë presion kreut. Për këtë dhe shumë arsye, klasikja Vllaznia-Tirana është më shumë sesa një ndeshje. Edhe këtë herë. / Oversport.tv