Klopp: Të mësojmë nga eksperienca e Realit, duhet të bëjmë 2 superndeshje për tu kualifikuar

“Mezi pres që të vij dita e ndeshjes. Edhe sfida në Bernabeu do të jetë e vështirë. Po kujt i intereson? Kjo është Champions League. Dhe kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme në botë”, ka thënë trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp në prag të sfidës kundër Realit të Madridit.

Do të zbresë në skenë finalja e sezonit të kaluar, por tekniku i “të kuqve” i ka idetë e qarta në prag të kësaj sfide. “Duhet të luajmë 2 superndeshje për tu kualifikuar, duhet të jemi në maksimum, për të patur një mundësi. Është ndryshe për Realin, edhe nëse nuk janë në ditën e tyre më të mirë e kanë akoma një mundësi. Kjo është ajo që i bën special”, ka shtuar Klopp.

Tekniku i anglezëve ka folur edhe për kolegun Carlo Ancelotti: “Është një nga njerëzit më të qetë që mund të takohen. Menaxhimi i tij është një nivel tjetër nga ne të tjerët. Reali i Madridit është një nga klubet më të mëdhenj një botë”.

Klopp ka komentuar edhe finalen e sezonit të kaluar: “Luajtëm një ndeshje të mirë, mund të kishim fituar, por ata shënuan golin vendimtar. Dukej eksperienca e tyre, sa pak e humbin besimin, kjo duhet të mësohet nga ata. Por tani krahasuar me atë sfidë, jemi dy skuadra të ndryshme dhe të shohim se kush do të kualifikohet”, ka thënë mes të tjerash tekniku i Liverpool. / Oversport.tv