Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, ka dalë sot në konferencë për mediat, në prag të ndeshjes me Cadiz që zhvillohet nesër në mbrëmje.
Koeman habiti, duke lexuar një deklaratë dhe duke mos pranuar asnjë pyetje nga gazetarët. “Klubi është me mua në këtë faze rindërtimi të skuadrës. Situata ekonomike është e lidhur me atë çfarë ndodh në fushë”, u shpreh Koeman fillimisht.
“Ne si staf duhet të rindërtojmë ekipin, pa bërë investime të mëdha. Kjo kërkon kohë. Talentet e rinj mund të bëhen yje të botës, brenda disa vitesh. Këta të rinj do kenë mundësi, siç patën më herët Xavi Hernandez dhe Andres Iniesta, por kërkohet durim”.
Renditja në vendet e para të tabelës do ishte sukses, sipas trajnerit të klubit katalanas, ndërsa për Championsin nuk mund të priten mrekulli. “Humbja me Bayernin në Champions duhet parë në këtë prizëm”, shtoi ai.
Koemn bën thirrje për mbështetje nga tifozët: “Unë e di që shtypi e njeh këtë proces, ndaj nuk është hera e parë që ndodh”, citoi ai ndër të tjera.
“Ne e llogarisim mbështetjen tuaj në këtë kohë vendimtare. Jemi vërtetë të lumtur me mbështetjen e tifozëve tanë, siç ishte rasti ndaj Granada. Forca Barcelona!”, përfundoi trajneri.
Rezultatet negativ mes Championsit dhe kampionatit, kanë bërë që stoli i teknikut holandez të lëkundet. Të shumtë janë emrat e lakuar për ta zëvendësuar atë.
58-vjeçari është në presion për të fituar me Cadiz, në të kundërt mund të humbasë punë nëse dështon për të dytën herë, pas barazimit kundër Granada. / oversport.tv