Koeman: Luhet e ardhmja ndaj Dynamo Kyiv, rivalët janë përmirësuar shumë

Në prag të sfidës kundër Dynoamo Kyiv ka folur edhe trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman. Ai u ndal tek rëndësia e kësaj ndeshjeje, lojtarët që ka në dispozicion, si dhe tek rivalët që ekipi i tij ka në këtë kompeticion.

Rinovimi i Ansu Fatit- “Unë di vetëm se ata janë afër marrëveshjes. Është një lajm i mirë. Ai është i ri dhe ka një cilësi të lartë. Është nga ata lojtarë që do të shkruaj të ardhmen e këtij klubi”.

Rivalët në Champions League- “Ekipet janë përmirësuar shumë ndërsa Barça është dobësuar. Ka një ndryshim. Ka ekipe sot që kanë një ekuilibër në skuadrën e tyre, një stol prej 23 lojtarësh cilësorë, që kanë një situatë shumë më të mirë ekonomike”.

Situata personale- “Kurrë nuk ka qetësi kur je trajner sepse gjithçka varet nga rezultatet. Përveç kësaj, ne jemi në një vend ku gjithçka ekzagjërohet më shumë.”

Coutinho- “Ka qenë jashtë fushës për një kohë të gjatë. Ai vetë duhet të ketë minuta dhe të rrisë ritmin për t’u përmirësuar. Ka konkurrencë dhe ne do të shikojmë atë që është më e mira për ekipin, por do të jetë një lojtar kyç për ndeshjet e ardhshme”.

Lojtarët- Në ekip kemi lojtarë me shumë eksperiencë që duhet të jenë shembull në këto ndeshje. Pastaj, ka lojtarë të rinj, por që janë me përvojë në ndeshje të rëndësishme edhe falë ekipeve të tyre kombëtare. Kështu, në një ndeshje si ajo e nesërmja nuk mund të diskutojmë mbi eksperiencën e lojtarëve.”

Ndeshje vendimtare- “Është një ndeshje vendimtare. Ne duhet të fitojmë që të kemi një shans për të shkuar në raundin e dytë. E dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ata janë një ekip më i mirë se vitin e kaluar. Ne e dimë qartë se çfarë na pret, por po rrezikojmë të ardhmen tonë në Champions League nëse nuk fitojmë”. /oversport.tv