“Koeman out, Koeman out”, por shifrat te Barcelona i ka në favor

Sezoni 2021-2022 nisi me rezultate pozitive për Barcelonën në epokën post Messi, pavarësisht uljeve dhe ngritjeve të vazhdueshme mes kampionatit dhe Championsit.

Trajneri i katalanasve Ronald Koeman pas konfirmimit në drejtim të klubit është përballur me momente të mira dhe të vështira në stolin e klubit.

Këto të fundit kanë “shkundur” jo pak pozitat e holandezit. I ndëshkuar me të kuq ndeshjen e fundit ndaj Cadiz, Koeman nuk mori pjesë në suksesin e katalanasve në stadiumin “Camp Nou”.

Ecuria e teknikut 52-vjeçar merr nota të kënaqshme, nëse marrim për bazë largimin e Leo Messit këtë verë dhe shifrat në krahasim me vjet. 12 pikë në 6 ndeshje për Barcelonën e Koeman, në krahasim me 8 pikët e sezonit të kaluar në po kaq ndeshje, janë ato që flasin.

Me probleme të shumta në infermieri, ai ka mundur të ndërtojë bazën e ekipit mes lojtarëve me përvojë dhe emrave të promovuar nga akademia e “La Masias”.

GOLAT E SHËNUAR DHE TË PËSUAR – Barcelona ka shënuar 11 gola këtë sezon, 1 më shumë se vitin e kaluar, ndërsa mbrojtja është në “deficit” në krahasim me vjet. Katalanasit kanë pësuar 6 gola, kundrejt 5 golave në të njëjtën fazë të sezonit të shkuar. / Oversport.