Koeman rrezikon shkarkimin, por Barcelona nuk gjen dot trajner

Një nga problemet që ka presidenti i Barcelonës, Joan Laporta është fakti që nuk gjen dot trajner nëse do të largojë Koemanin. Nëse rezultatet e ndeshjeve të ardhshme nuk janë të kënaqshme dhe pozitive, holandezi rrezikon ta humbasë vendin e tij në stolin e katalanasve.

Gjatë kësaj kohe kanë dalë disa emra si zëvendësuesin e tij, por ai që i pëlqen shumë presidentit është Jordi Cruyff. Është një ide në kokën e Laportës prej kohësh. Cruyff do të marrë një rol drejtuesi në skuadër, por nuk ka ndërmend që t’i zërë vendin Koemanit.

“Nuk do ta bëj kurrë diçka të tillë. Nuk mundet të marr vendin e Koemanit. Do të ishte e padrejtë dhe unë jam njeri me principe. Nuk e kam ndryshuar mendimin”, ka thënë Cruyff. Ai nuk ka ndërmend që të marrë vendin e një miku dhe ta tradhtojë atë në një moment delikat.

Koeman duhet të ndryshojë dinamikën e rezultateve në mënyrë që të sigurojë qëndrimin e tij te Barcelona. Pas humbjes ndaj Bayernit qarkulluan lajme se nuk e rrezikon stolin, por gjërat do të përkeqësohen nëse katalanasit nuk ndryshojnë.