Kohë rinovimesh te Juventusi: Cuadrado gati për firmë, dilema për Bernardeschi

Përveç Dybalas me të cilin rinovimi është afër, klubi italian ka dhe disa rinovime të tjera lojtarësh për të zgjidhur. Një ndër këta lojtarë është dhe Federico Bernardeschi.

Mesfushori italian ka mbërritur në Torino në vitin 2017 dhe nuk ka shkëlqyer shumë me bluzën e Juventusit. Gjatë Europianit lojtari u paraqit mirë dhe me ardhjen e Allegrit në krye të Juves largimi i tij nuk duket kaq i sigurt.

Kontrata e tij skadon vitin tjetër dhe lojtari duhet të plotësojë dy kushte për të rinovuar. Kushti i parë është që Bernardeschi të paraqitet shumë mirë këtë sezon dhe kushti i dytë është që lojtari të reduktojë pagën.

Aktualisht mesfushori italian përfiton 4 milionë euro në sezon dhe oferta e klubit do të jetë diku te 2,5-3 milionë euro. Situata është komplet ndryshe përsa i përket rinovimit të kontratës të Juan Cuadrado.

Kolumbiani vazhdon të jetë një element shumë i rëndësishëm për klubin bardhezi dhe është pothuajse e sigurt që palët do vazhdojnë bashkëpunimin.

Cuadrado, 33 vjeç, ka vendosur të qëndrojë në Torino dhe tani mbetet vetëm që palët të hedhin firmë në kontratë. Në rastin e lojtarit kolumbian mbeten vetëm detajet për të rregulluar.

Ndërsa për dy lojtarë të tjerë, Mattia De Sciglio dhe Mattia Perin situata është e njëjtë si ajo e Bernardeschit. Nëse lojtarët pranojnë reduktimin e pagës ata mund të qëndrojnë, ndryshe do të largohen.

Perin ka më shumë mundësi të qëndrojë, për arsye se Juventusi ka nevojë për një portier rezervë në nivelin e Szczesny, pa bërë shpenzime të mëdha. / oversport.tv