Kombëtaret lënë me pasoja Realin, Ancelotti humbet dy mbrojtësit titullarë

Ndeshjet e kombëtareve kanë bërë me dhimbje koke trajnerin e Realit të Madridit, Carlo Ancelotti, pasi dy mbrojtësit e qëndrës i janë dëmtuar në ndeshjet e luajtura me kombëtaret respektive.

Pasi Brazili informoi klubin madrilen se Eder Militao pësoi një dëmtim në këmbën e djathtë të mërkurën, Reali ka marrë një tjetër lajm të keq sot, që ka të bëjë me shokun e repartit të brazilianit, me mbrojtësin David Alaba.

29-vjeçari pësoi një dëmtim në gju në humbjen e Austrisë 1-0 përballë Danimarkës të martën në mbrëmje. Megjithëse ekzaminimet e para nga mjekët austriakë kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë problemi të madh, mbrojtësi është në dyshim për ndeshjen e radhës në Champions kundër Shakhtarit.

Mjekët e Realit të Madridit do të monitorojnë situatën e Alabas, por është një dëmtim që varet shumë nga ajo që ndjen futbollisti, prandaj do të jetë ai që do të vendosë, nëse do të luajë apo jo të martën për “los blancos”.

Por, pushimi ka sjellë edhe lajme të mira në kampin madrilen, pasi mbrojtësit Ferland Mendy dhe Marcelo janë rikuperuar plotësisht nga dëmtimet respektive. Të dy lojtarët janë në dispozicion të Ancelottit për sfidën e ardhshme kundër Shakhtarit.

Kujtojmë se Reali dhe Atletico e Madridit nuk do të luajnë në kampionat këtë fundjavë, pasi takimet respektive janë shtyrë për një datë të pacaktuar. / Oversport.tv