Kombëtarja U-18 / Behari analizon miqësoret me Malin e Zi: Kemi fituar disa lojtarë të rinj që janë gati për U19-n

Kombëtarja U-18 zhvilloi pak ditë më parë dy miqësore të vlefshme me bashkëmoshatarët e Malit të Zi, ku stafi teknik pati mundësi të provonte shumë elementë të rinj për të evidentuar lojtarë të vlefshme për Kombëtaren U-19. Në fakt, më shumë se sa rezultatet, ky është edhe qëllimi i kësaj skuadre dhe qëllimi i këtyre miqësoreve duket se është përmbushur sipas trajnerit Ardi Behari, i cili shprehet i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, por edhe me provën e dhuruar nga disa elementë të veçantë.

Për Beharin nga ky grup janë të paktën 4-5 lojtarë që duket se janë të gatshëm për t’u bërë pjesë e Kombëtares U-19 në kompeticionin e ardhshëm zyrtar.

“Janë disa aspekte pozitive nga këto miqësore. E para, ishin shumë të vlefshme në aspektin e seleksionimit të lojtarëve dhe nisur nga kjo, sepse edhe detyra funksionale e Kombëtares U-18 është pjesa e evidentimit dhe mbajtja në formë e të gjithë lojtarëve të datëlindjes 2005 në të gjithë Europën, sigurisht edhe të gjithë lojtarëve që luajnë në Shqipëri.

Evidentuam 4-5 futbollistë të cilët mund të vazhdojnë të jenë pjesë e Kombëtares U-19 për kompeticionin zyrtar, por mund të ketë ndër ta edhe lojtarë që më ka lënë përshtypje shumë të mira dhe jemi të kënaqur që i kemi fituar”, thotë Ardi Behari në një prononcim për Fshf.org.

Më tej, tekniku kuqezi përmend edhe dy emra që sipas tij kanë cilësi shumë të mira, ndërsa thekson se janë edhe disa elementë të tjerë që po monitorohen dhe që së shpejti do t’u jepet mundësia të testohen me fanellën kuqezi.

“Mund të përmend Erald Krasniqin e Herenven, i cili bëri një paraqitje shumë të mirë dhe ishte një nga notat më pozitive këtyre miqësoreve. Vlen për të theksuar se ishin dy ndeshje të ndryshme nga njëra-tjetra. Në arritjen e detyrës funksionale të kësaj skuadre unë i quaj dy ndeshje që e kanë plotësuar objektivin. Jemi duke i monitoruar nga afër edhe lojtarët që luajnë në Shqipëri.

Një nga lojtarët që ka bërë paraqitje shumë të mirë e që duhet të shërbejë si shembull për lojtarët e kampionatit shqiptar është Ermal Meta, i cili luan te Tirana dhe është një lojtar i fituar, – shton trajneri. – Ndërkohë që dy lojtarë të tjerë, njëri aktivizohet me moshat e Milanit dhe tjetri me moshat e Arsenalit, janë dy mbrojtës dhe për arsye të ndryshme nuk mundën të ishin në këto dy miqësore, por i kemi ndjekur dhe i ndjekim në vazhdimësi nga skautët e FSHF-së.

Po ashtu edhe në Suedi kemi pikasur lojtarë të mirë, të cilët luajnë në klube elitare. Mendoj që jemi në kohën e duhur, ndryshe nga vitet e tjera, për të formuar ekipin Kombëtar U-19 dhe një ndihmesë të madhe na dhanë edhe këto dy ndeshje miqësore që kishim në dispozicion”, – deklaroi ndër të tjera trajneri i ekipit Kombëtar U-19, Ardi Behari.