Kosova dhunohet në Greqi! Spanja merr kreun, Portugalia ndëshkohet që në tunel

Kosova mposhtet 2-0 në Greqi në sfidën që vendoste shumë për ecurinë e dardanëve në këtë edicion të Nations League. Një gol i Giakoumakis në pjesën e dytë ka zhbllokuar sfidën dhe ka shuar shpresat e Kosovës për të zënë vendin e parë në grup.

Pas golit të grekëve, ka pasur incidente në tribuna, pasi vendasit kanë sulmuar tifozët kosovarë. Gjyqtari ka ndërprerë ndeshjen për disa momente, pasi lojtarët e Kosovës kanë qenë shumë të irrituar për këtë sjellje të vendasve.

Në minutën e 9-të shtesë Mantalos shënon edhe golin e dytë për helenët dhe mbyll përfundimisht këtë sfidë. Diferenca mes dy skuadrave është 6 pikë dhe tashmë Greqia ka siguruar matematikisht kreun e grupit.

Spanja fiton 2-0 në shtëpi kundër Republikës Çeke dhe falë këtij suksesi ngjitet në vendin e parë në grup. Soler në pjesën e parë dhe Sarabia në të dytën vulosin këtë fitore të iberikëve, që përfitojnë edhe nga disfata e Portugalisë dhe ngjiten në krye të grupit 2 në Ligën A.

Portugalia pëson humbjen e parë në këtë edicion të Nations League, pasi mposhtet në transfertë 1-0 përballë Zvicrës. Një gol i Seferovic që nga tuneli ka vendosur fatin e kësaj sfide, që i kushton luzitanëve vendin e parë në grup.

Norvegjia konsolidon pozitat e saj në krye të grupit, pasi ka fituar 3-2 derbin nordik kundër Suedisë. Erling Haaland ka shënuar 2 gola në këtë sukses të norvegjezëve, duke u ngjitur në kuotën e 20 golave në 21 ndeshje të zhvilluara me skuadrën kombëtare.

Ka gola, por jo fitues derbi ballkanik mes Sllovenisë dhe Serbisë, që përfundon 2-2. Serbët mbyllin pjesën e parë në avantazh të dyfishtë, por vendasit reagojnë në të dytën dhe kthejnë gjithçka në barazpeshë.

Irlanda e Veriut ka barazuar 2-2 në shtëpi me Qipron, ndërsa Maqedonia e Veriut ka fituar me poker (4-0) me modestët e Gjibraltarit. Gjerogjia ruan kreun e grupit 4 në Ligën C, ndonëse ka barazuar pa gola 0-0 në shtëpi me Bullgarinë.

Malta ka fituar 1-0 përballjen me San Marinon e vlefshme për Ligën D. / Oversport.tv

Foto: Selección Española de Fútbol Twitter